Ambasadori çek ligjëron në COD dhe në Universitetin e Tiranës
01.12.2022 / 12:32 | Aktualizováno: 01.12.2022 / 12:44
Në kuadër të Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, Z. Karel Urban, u ftua nga Qendra Shqiptare për Hapje dhe Dialog dhe Universiteti i Tiranës për të ligjëruar mbi “Rrugëtimin në BE të Republikës Çeke dhe Rolin e Kulturës në Diplomaci”.
Ambasadori Urban diskutoi me studentët e shkencave politike për Bashkimin Europian, kuptimin dhe prioritetet e Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, rëndësinë e katër lirive të lëvizjes brenda BE-së, si dhe rëndësinë e kritereve të Kopenhagës për shtetet kandidate. I pyetur nga studentët për temën, ai vuri në dukje përfitimet e shoqërisë çeke nga anëtarësimi në BE, si dhe sfidat e të qënit vend anëtar.
Lidhur me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Ambasadori ritheksoi mbështetjen e palëkundur Çeke për integrimin e rajonit në BE si dhe gatishmërinë e Çekisë për të ndihmuar Shqipërinë me përvojën e saj.
Ligjërimi u gjallërua nga komunikimi dhe komentet e studentëve për ngjarjet aktuale ndërkombëtare dhe ne rajon, ndërsa Ambasadori adresoi me kënaqësi këndvështrimet e ndryshme. Të dyja ligjëratat u shoqëruan me fotoekspozitën “Ne jemi rritur në BE” në ambientet e institucioneve. Studentët panë përmes saj zhvillimet kyçe dhe aktorët kryesorë të diplomacisë çeke dhe asaj euroatlantike.
Follow us on